null

Riciklo Kreativ 2026

Riciklo Kreativ 2026

Një ide që ndryshon mënyrën si shohim qytetin


Në realitetin e sotëm urban, “Riciklo Kreativ” rikthehet në edicionin e tij të pestë si një ftesë për të menduar ndryshe. Konkursi i ideve për studentët, i cili këtë vit trajton temën “Skulptura Urbane” nën prizmin e “dialogut urban”, zhvillohet nga FAU | UPT, me mbështetjen e Mane Foundation dhe Tirana East Gate (TEG).


Ky nuk është një konkurs i zakonshëm arkitekture. Është një proces reflektimi mbi qytetin, mbi atë që prodhojmë dhe mbi atë që zgjedhim të hedhim


Si të bëhesh pjesë e Riciklo Kreativ


Për studentët e arkitekturës, urbanistikës dhe dizajnit, “Riciklo Kreativ” është një mundësi konkrete për t’u përfshirë në një projekt me impakt real. Aplikimi kryhet online përmes formularit në këtë link.


Afati i fundit për regjistrim është 1 qershor 2026. Pjesëmarrja është e hapur për studentë nga Shqipëria, rajoni dhe Europa, individualisht ose në grupe deri në 3 persona. Pjesëmarrja në konkurs është pa pagesë.


Çmimet që vlerësojnë kreativitetin


Përtej eksperiencës dhe ekspozimit profesional, konkursi shpërblen idetë më të mira me çmime monetare:

· 800€ – Vendi i parë

· 2 çmime nga 500€ – Vendet e dyta

· 3 çmime nga 400€ – Vendet e treta


Për të gjithë pjesëmarrësit që arrijnë në fazën e ekspozimit do të jepen certifikata vlerësimi, ndërsa projektet fituese do të promovohen nga FAU, Mane Foundation dhe TEG.


Riciklo Kreativ – një konkurs arkitekture me një filozofi ndryshe


“Riciklo Kreativ” është një mënyrë e re të menduari mbi materialet, hapësirën dhe përgjegjësinë ndaj mjedisit.


Në thelb të tij qëndron ideja se mbetja nuk është fundi i një objekti, por një fazë e përkohshme që pret të riformësohet. Studentët ftohen të marrin materiale të riciklueshme dhe t’i transformojnë në skulptura që jo vetëm duken, por edhe “flasin”.


Konkursi ka një fokus të dyfishtë:

· Të vendosë studentët në kontakt me materialet e riciklueshme dhe të rrisë ndërgjegjësimin për prodhimin e tepërt të mbetjeve urbane

· Të nxisë krijimin e veprave artistike që i shërbejnë komunitetit, të realizuara tërësisht nga materiale të ricikluara


Skulptura urbane si dialog me qytetarin


Në Riciklo Kreativ, skulptura urbane nuk trajtohet thjesht si një formë estetike, por si një mesazh që komunikon drejtpërdrejt me qytetarin. Çdo vepër kthehet në reflektim mbi mënyrën si konsumojmë dhe mbi gjurmën që lëmë pas në mjedis, duke transformuar atë që zakonisht perceptohet si “e panevojshme” në diçka që provokon mendimin. Kështu, skulpturat krijojnë një dialog të hapur me publikun dhe kontribuojnë në ndërtimin e një ndërgjegjeje të re kolektive mbi përgjegjësinë ndaj mjedisit.


Nga ide në ekspozitë – eksperienca në TEG


Një nga momentet më të rëndësishme të “Riciklo Kreativ” është transformimi i ideve në një eksperiencë të prekshme për publikun përmes ekspozimit të projekteve në ambientet e TEG. Vizitorët nuk janë thjesht spektatorë, por pjesë aktive e këtij rrëfimi kreativ: ata kanë mundësinë të shohin nga afër maketet, të kuptojnë procesin e kthimit të materialeve të riciklueshme në koncepte urbane dhe të përjetojnë potencialin e tyre në një kontekst real. Përfshirja e publikut në votim, krahas vlerësimit nga juria profesionale, e bën Riciklo Kreativ një eksperiencë gjithëpërfshirëse dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë mes krijuesve dhe qytetarëve.


Një dimension real: Rolling Hills by the Lake


Për ta bërë konkursin më konkret dhe më të lidhur me realitetin, këtë vit studentët ftohen të imagjinojnë projektet e tyre si pjesë e një hapësire reale: sheshi i projektit Rolling Hills by the Lake, në zonën e Farkës.


Kjo qasje e re i jep një dimension praktik konkursit, duke i sfiduar studentët të mendojnë jo vetëm në mënyrë konceptuale, por edhe në raport me një kontekst të vërtetë urban dhe arkitektonik. Në këtë mënyrë, veprat e propozuara fitojnë potencial jo vetëm si ide, por edhe si projekte të zbatueshme në të ardhmen.


Në edicionin e tij të pestë, “Riciklo Kreativ” në TEG konfirmon se qyteti nuk është vetëm një hapësirë për të jetuar, por edhe për të reflektuar dhe për të krijuar.


Duke i dhënë jetë të re mbetjeve, ky konkurs arkitekture i zhvilluar nga FAU me mbështetjen e Mane Foundation dhe Tirana East Gate (TEG), nuk prodhon vetëm skulptura, por ide që mund të ndryshojnë mënyrën si ndërtojmë të ardhmen